_____________________________ NISMA Socialdemokrate ________________________________
S T A T U T I
Neni 1
Emri
- NISMA Socialdemokrate është parti politike me orientim ideor Socialdemokrat. NISMA është bashkim vullnetar i qytetarëve të Kosovës mbi bazën e ideve, të bindjeve, të pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, të cilët kanë qëllim të ndikojnë në jetën e vendit dhe të publikut nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.
2. Emri i plotë i partisë është NISMA Socialdemokrate, akronimi NISMA (e cila përdoret si simbol, flamur, e njëjta përdoret në vulën dhe në të gjithë dokumentet zyrtare për identifikim).
Neni 2
Selia e NISMA-së
1. Selia qendrore e NISMA-së është në Prishtinë.
Neni 3
Simboli
- NISMA Socialdemokrate e ka simbolin e saj “NISMA” e cila është e shkruar në fushën e portokalltë, brenda një katërkëndëshi me sfond të bardhë, me shkronja të portokallta dhe simboli i saj “NISMA” i shkruar në fushën e bardhë, brenda një katërkëndëshi me sfond të portokalltë me shkronja të bardha. Ndërsa nën NISMA shënohet, “Socialdemokrate” me vizë nën të.
Neni 4
Vula
1. NISMA ka vulën e rrumbullakët me emrin – NISMA-së në qendër.
Neni 5
Dokumentet Bazë
- Dokumentet bazë mbi të cilat bazohet organizimi dhe funksionimi NISMA-së Socialdemokrate janë Programi dhe Statuti.
2. Programi dhe Statuti janë dokumente të hapura për ndryshime dhe përmirësime, sa herë që këtë e kërkojnë zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore.
Neni 6
Parimet Kryesore
- NISMA Socialdemokrate është krijuar, organizuar dhe funksionon mbi bazën e disa parimeve kryesore të cilat janë:
- Vullnetarizmi për t’u anëtarësuar në NISMA, për të
pranuar programin dhe statutin e saj si dhe të gjitha detyrimet që burojnë prej
tyre.
- Garantimi dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes të çdo anëtari të NISMA-së, për çdo problem që ka të bëjë me organizimin, funksionimin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe organizative të NISMA-së, për rolin dhe performancën e përfaqësuesve dhe te të zgjedhurve të saj, për dokumentet themelore dhe çështje të tjera me interes kombëtar.
- Demokracia e brendshme e partisë, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha forumet e NISMA-së.
- Si bazë për avancimin kadrovik të çdo anëtari të NISMA-së do të jetë angazhimi dhe kontributi i tij meritor.
- Kolegjialiteti dhe transparenca në vendimmarrjen dhe në drejtimin e çdo forumi të NISMA-së.
- Solidariteti në mes anëtarëve të NISMA-së do të jetë një parim tjetër bazë në jetën politike.
- NISMA në aspektin ideor është parti e qendrës së majtë, Socialdemokrate.
- NISMA anëtarësohet edhe në asociacione dhe në organizma të tjera politike ndërkombëtare, që kanë synime dhe orientime të ngjashme politike dhe programore.
- Zgjedhja e kryetarit me votim të fshehtë dhe me kandidatura alternative mbi bazë të parimit: ’’një anëtar – një votë’’.
Neni 7
Anëtarësimi
- Anëtar i NISMA-së mund të jetë çdo shtetas i Kosovës, pa dallim race, kombësie, feje, gjinie, gjendje ekonomike dhe përkatësie shoqërore, i cili:
- ka mbushur moshën 18 vjeç dhe ka të drejtë vote në Kosovë;
b. nuk është anëtar i ndonjë partie tjetër politike;
c. pranon me vullnet të lirë statutin dhe programin e NISMA-së dhe kontribuon në zbatimin dhe realizimin e tyre;
2. Anëtar i NISMA Socialdemokrate mund të jetë çdo qytetar i Kosovës që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe i cili punon në bazë të këtij Statuti dhe e pranon Programin e NISMA-së;
3. Vendimin për pranimin në NISMA të kërkuesit e merr kryesia e degës përkatësisht nëndegës përkatëse të NISMA-së.
4. Shtetasi i Kosovës që jeton jashtë territorit të Republikës së
Kosovës, që ka dëshirën dhe plotëson kushtet për t’u anëtarësuar në NISMA,
duhet të paraqesë kërkesën për anëtarësim pranë Kryesisë së NISMA-së në vendin
ku jeton.
Në rastet kur NISMA nuk ka struktura në shtetin ku jeton, shtetasi i Kosovës që
dëshiron të anëtarësohet në NISMA, i drejtohet me një kërkesë Kryesisë së
NISMA-së së degës më të afërt.
5. Anëtarëve të NISMA-së, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, u garantohet përfaqësimi në Kuvendin zgjedhor të NISMA-së. Mënyra e përfaqësimit në Kuvendin zgjedhor dhe e zhvillimit të jetës politike përcaktohet me vendim të Këshillit Kombëtar si organ më i lartë i NISMA-së.
6. Anëtari i NISMA-së, i cili për arsye personale është i detyruar të largohet nga territori i degës paraprake apo nga territori i Republikës së Kosovës, mund të ruajë anëtarësinë duke njoftuar me shkrim degën përkatëse për adresën e tij të re, si dhe të shprehë angazhimin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky statut.
7. Anëtari i NISMA-së ka për detyrë:
- të bëjë jetë politike aktive në NISMA Socialdemokrate;
b) të paguajë rregullisht anëtarësisë (me përjashtim rastet sociale);
c) të marrë pjesë në zgjedhjet në NISMA duke votuar për kandidatin që dëshiron, si dhe në zgjedhjet komunale dhe të përgjithshme duke votuar për kandidatët e NISMA-së apo për kandidatët që ajo mbështet;
d) të mos kandidojë si i pavarur apo nën siglën e një force tjetër politike, në zgjedhjet komunale, në zgjedhjet e përgjithshme apo për pozicione publike, ku një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave është ai i përfaqësimit politik;
- të respektojë disiplinën e partisë dhe të kontribuojë në forcimin e saj;
h) të pranojë vendimet e shumicës e të respektojë mendimin ndryshe;
i) të punojë për rritjen e ndikimit të NISMA-së në komunitetin përkatës;
j) të përpiqet të shtojë radhët e NISMA-së;
k) të mos përfshihet në veprimtari apo sjellje të cilat janë komprometuese për moralin shoqëror dhe cenojnë imazhin e NISMA-së;
- Anëtari i NISMA-së ka të drejtë:
- të zgjedhë dhe të zgjidhet në forumet drejtuese të NISMA-së.
b) të marrë pjesë dhe të japë kontributin e tij në hartimin dhe zbatimin e qëndrimeve dhe politikave të NISMA-së, programit dhe statutit të saj;
c) të informohet për aktivitetin e strukturave të NISMA-së dhe të shprehë qëndrimin e tij për to;
d) të propozojë dhe të propozohet si kandidat i NISMA-së për zgjedhjet komunale dhe po ashtu për zgjedhjet qendrore, si dhe në të gjithë organizmat ku kërkohet përfaqësimi NISMA-së;
e) të jetë i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të NISMA-së, pavarësisht nga funksionet që mbulon në NISMA apo gjetkë, e pavarësisht nga gjendja ekonomike, përkatësia shoqërore apo niveli arsimor;
f) të largohet nga NISMA kur të dëshirojë duke bërë një njoftim me shkrim pranë degës apo nëndegës ku bën pjesë, pa qenë i detyruar të japë shpjegime.
Neni 8
Masat Disiplinore
- Çdo anëtar që vepron në kundërshtim me Statutin, Programin dhe vendimet e forumeve të NISMA-së u nënshtrohet marrjes së masave disiplinore.
- Rregulla të hollësishme për dhënien e masave disiplinore përcaktohen nga Këshilli Kombëtar.
- Procedurën për dhënien e masës disiplinore anëtarit të NISMA-së e fillon organi i cili ka konstatuar shkeljen.
- Kërkesa për dhënien e masës disiplinore në rastin e anëtarit të NISMA-së pranë degës ku e zhvillon ai anëtar aktivitetin, i drejtohet Këshillit të Degës.
- Kërkesa për dhënien e masës disiplinore për funksionarët e NISMA-së, të zgjedhur apo të emëruar nga organet drejtuese të NISMA-së, i drejtohet Këshillit Kombëtar.
- Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar si dhe masën disiplinore të propozuar.
- Marrja e vendimeve dhe ankimimi i tyre bëhet në përputhje me parashikimet e këtij Statuti dhe të vendimeve të Këshillit Kombëtar.
Neni 9
Organizimi i NISMA-së Socialdemokrate
- NISMA është parti politike me organizim vertikal nga baza, komuna deri te niveli qendror, e cila në themel të organizimit të saj ka demokracinë e brendshme, lirinë e shprehjes dhe besimit, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
2. Në përputhje me këtë statut NISMA Socialdemokrate e ushtron aktivitetin e saj në të gjithë territorin e vendit dhe jashtë vendit, ku ka struktura të ngritura dhe që veprojnë në respekt të plotë të ligjeve të shtetit ku kryen veprimtarinë e vet.
3. NISMA është organizuar në tri nivele: në nivelin e Nëndegës (fshat, lagje qyteti), në nivel të Degës (Komuna) dhe në nivelin Qendror.
4. Në nivel Komunal NISMA ka këtë organizim:
- Nëndega (Këshilli, Kryesia dhe Kryetari i nëndegës).
b) Dega (Kuvendi, Këshilli i Degës, Kryesia dhe Kryetari).
5. Në nivel Qendror NISMA ka këtë organizim:
- Kuvendi,
b) Këshilli Kombëtar,
c) Kryetari i Këshillit Kombëtar,
d) Kryesia e zgjeruar,
e) Kryesia
f) Kryetari i NISMA-së Socialdemokrate,
6. Në kuadër të NISMA Socialdemokrate në tri nivelet e saja të organizimit funksionon edhe organizata e NISMA Socialdemokrate e Gruas dhe NISMA Socialdemokrate e Rinisë,
- Organizimi i brendshëm i tyre rregullohet me rregullore të veçanta të tyre.
Neni 10
Organizimi i NISMA-së në Nivel Komunal – Nëndega
- Njësia bazë e organizimit të NISMA-së është Nëndega.
2. Nëndega formohet nga të paktën 5 anëtarë të NISMA-së.
3. Kryesia e nëndegës i zhvillon mbledhjet e saja të rregullta (së paku njëherë në muaj) dhe sipas nevojës dhe kërkesave të kryesisë së degës. Mbledhja thirret nga Kryetari i Nëndegës ose nga 1/3 e anëtarëve të kryesisë.
4. Gjatë periudhës së fushatave për zgjedhjet në parti, zgjedhjeve lokale apo zgjedhjet e përgjithshme, kryesia e nëndegës shndërrohet: nën-shtab zgjedhor.
5. Nëndega gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj politik:
- shpalos politikën dhe qëndrimet e NISMA-së, në përputhje me Programin, Statutin dhe vendimet e forumeve drejtuese të NISMA-së;
b) zgjedhë kandidatët e saj për në Këshillin e Degës;
c) punon për shtimin e radhëve të NISMA-së;
d) përpiqet të zgjerojë ndikimin e NISMA-së në shtresat e ndryshme të popullsisë në njësinë territoriale për të cilën ajo përgjigjet dhe respekton mendimin e çdo shtetasi, anëtar apo jo i NISMA-së.
e) mban lidhje me organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror apo individë (që veprojnë në territorin e nëndegës), në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të NISMA-së;
f) organizon dhe administron fushatat zgjedhore për zgjedhjet në parti, zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme (në territorin e nëndegës), në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të NISMA-së;
Neni 11
Kryetari i Nëndegës
- Për mbarëvajtjen e punëve të përditshme, zgjidhet Kryetari i Nëndegës. Kryetari i Nëndegës zgjidhet për një periudhë katër vjeçare nga anëtarët e kryesisë pranë asaj Nëndege dhe me kandidaturë eventuale alternative.
2. Kryetari i Nëndegës ka për detyrë të:
- organizon veprimtarinë e NISMA-së në territorin administrativ të Nëndegës;
b) thërret mbledhjet e Nëndegës;
c) njofton me shkrim dhe me gojë Kryetarin dhe kryesinë e Degës për çdo mbledhje apo aktivitet të nëndegës;
d) nënshkruan të gjitha vendimet e marra nga nëndega;
e) harton e administron listën e anëtarëve të NISMA-së pranë nëndegës;
f) harton listën e përkrahësve të NISMA-së pranë nëndegës;
- drejton fushatat zgjedhore të NISMA-së në nivel nëndege, në rastet e Zgjedhjeve të Përgjithshme, Lokale apo në strukturat e NISMA-së;
h) mbledh dhe dorëzon në Kryesinë e degës së NISMA-së (pagesat e anëtarësisë së nëndegës ).
Neni 12
Kuvendi i Degës
- Kuvendi i degës përbëhet nga delegatët e zgjedhur nga nëndegët.
- Kuvendi i degës mblidhet një herë në 4 vite.
- Kuvendi i degës mund të thirret:
a) me vendim të Këshillit të
degës së NISMA-së.
b) me kërkesën e 1/3 të
anëtarëve të saj në degë.
c) me kërkesë të Kryesisë
qendrore të NISMA-së.
4. Kuvendi i Degës zgjedh: Këshillin e degës dhe delegatet për Kuvendin qendror të NISMA-së.
Neni 13
Këshilli i Degës
- Këshilli i Degës është organi më i lartë i NISMA-së në nivel të Degës.
2. Këshilli i Degës përbëhet nga anëtarët e zgjedhur në kuvend.
3. Kriteret për zgjedhjen në këshillin e degës janë: kriteri i përfaqësimit, gjendja organizative në nëndegë, numri i banorëve në nëndegë, numri i votave të fituara nga zgjedhjet e fundit në atë nëndegë.
4. Sipas kriterit të përfaqësimit anëtarë të Këshillit të Degës janë të gjithë kryetarët e nëndegëve, deputetët e parlamentit nga komuna përkatëse, të zgjedhurit në asamble komunale, të emëruarit në organet e qeverisjes komunale, kryetarja e gruas në degë dhe kryetari i rinisë në degë.
5. Pjesa e mbetur e anëtarëve (deri në plotësim të numrit) propozohen nga Kuvendi i Degës, të cilët pastaj votohen dhe zgjidhen nga Kuvendi i Degës.
6. Këshilli i degës ka për detyrë:
- Zgjedh kryetarin e degës,
- Zgjedh kryesinë e degës,
- miraton kandidatët e NISMA-së për këshilltarë në asambletë komunale dhe kandidatët për organet e qeverisjes komunale;
- miraton planin vjetor të veprimit politik dhe elektoral të propozuar nga Këshilli Kombëtar i NISMA-së;
- koordinon veprimtarinë e NISMA-së në të gjitha fushat: politike, ekonomike e shoqërore;
- në mbledhjen e parë pas konstituimit, këshilli i degës zgjedhë kryesinë;
- Këshilli i degës mbanë mbledhjet e rregullta (së paku njëherë në 3 muaj), mbledhja e këshillit thirret me vendim të Kryesisë së NISMA-së në Degë,
- Mbledhja e këshillit po ashtu mund të thirret dhe me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të këshillit ose sipas nevojës dhe me kërkesë të Kryesisë së NISMA-së.
Neni 14
Kryesia e Degës
- Kryesia e degës përbëhet nga (së paku 11anëtarë me mundësi zgjerimi sipas specifikave të komunave) që zgjidhen nga Këshilli i Degës.
- Kryetari i degës bënë propozimin për anëtar të kryesisë, po ashtu të njëjtin numër propozon edhe Këshilli i degës, pastaj me votim zgjidhen anëtarët.
- Kryesia e degës së NISMA-së, mban mbledhje të rregullta javore.
a) Në rast nevoje (përveç nga kryetari)ajo mund të thirret edhe nga 1/3 e anëtarëve
të Kryesisë së degës së NISMA-së .
- Mbledhjen e kryesisë e drejton Kryetari i degës, në mungesë të tij sekretari i degës, në mungesë të sekretarit anëtari më i moshuar i kryesisë.
5. Kryesia e Degës së NISMA-së ka për detyrë të:
- organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e përgjithshme të NISMA-së në degën përkatëse;
b) organizon, koordinon dhe drejton fushatat elektorale për zgjedhjet në NISMA, për zgjedhjet në nivel komunal dhe zgjedhjet e përgjithshme, në përputhje me kompetencat që i jepen nga statuti dhe vendimet e forumeve të NISMA-së;
c) përfaqëson NISMA-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të NISMA-së, në territorin e Komunës përkatëse;
d) miraton ndarjen e mjeteve materiale e financiare në Komunën përkatëse;
e) thërret mbledhjen e Këshillit të NISMA-së në Komunë;
f) krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të NISMA-së në nivel Komune;
g) kontrollon mbledhjen e anëtarësisë dhe përdorimin e fondeve nga strukturat e NISMA-së në komunën përkatëse;
h) raporton në mënyrë të rregullt në Kryesinë qendrore të NISMA-së për aktivitetin e NISMA-së në territorin administrativ të komunës përkatëse.
Neni 15
Kryetari i Degës së NISMA-së
- Kryetari i degës zgjidhet nga Këshilli i Degës, për një periudhë katër vjeçare.
- Rregullat për kandidim për kryetar të degës përcaktohen nga Këshilli Kombëtar i NISMA-së.
3. Kryetari i NISMA-së në degë:
- drejton veprimtarinë e NISMA-së në territorin e komunës përkatëse;
b) thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së Degës;
c) nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Kryesia e Degës;
d) drejton fushatat zgjedhore të NISMA-së në nivel komune, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre komunale.
Neni16
Kuvendi i NISMA-së Socialdemokrate
- Kuvendi është forumi më i lartë vendimmarrës i NISMA-së i cili përbëhet nga delegatët. Kuvendi i NISMA-së mund të jetë Kuvend Pune dhe Kuvend Zgjedhor.
2. Kuvendi zgjedhor mblidhet një herë në katër vite.
3. Kuvendi zgjedhor mblidhet me vendim të Këshillit Kombëtar ose me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të Kuvendit. Kuvendi punës mblidhet me vendim të kryesisë.
4. Konstituimi dhe drejtimi i kuvendit bëhet sipas rregullores së punës së Kuvendit.
5. Kuvendi Kombëtar i zhvillon punimet në bazë të rregullores së saj e cila hartohet nga Këshilli Kombëtar dhe miratohet nga Kuvendi i NISMA-së.
6. Kuvendi ka për detyrë të:
- miraton Programin dhe Statutin.
- zgjedh anëtarët e Këshillit Kombëtar për një periudhë katër vjeçare.
- miraton dokumente të tjera, siç janë rezolutat, deklaratat etj.
- shqyrton dhe miraton raportin për punën e partisë ndërmjet dy kongreseve.
- shqyrton dhe sjell akte dhe dokumente të tjera dhe kryen punë tjera, të nevojshme për partinë.
7. Numri i delegatëve të Kuvendit zgjedhor caktohet me rregullore të veçantë.
8. Kuvendi zgjedhor përbëhet nga:
a) Delegatët e zgjedhur nga degët,
b)
Anëtarët e Kryesisë së NISMA-së,
c) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të NISMA-së,
d) Ministrat dhe Zëvendës Ministrat nga radhët e
NISMA-së,
e) Deputetët e Kuvendit të Republikës së
Kosovës nga radhët e NISMA-së,
f) Kryesia
e Rinisë dhe e Gruas në nivel qendror,
Neni 17
Kuvendi
i jashtëzakonshëm i NISMA Socialdemokrate
- Kuvendi i jashtëzakonshëm mund të thirret sipas nevojës nga Këshilli Kombëtar me kërkesën e 2/3 të anëtarëve të vet;
- Me kërkesën e Kryesisë së NISMA- së;
Neni 17
Këshilli Kombëtar i NISMA-së
- Drejtimi politik dhe organizativ i NISMA-së në nivel kombëtar midis dy kuvendeve realizohet nëpërmjet Këshillit Kombëtar.
- Këshilli Kombëtar i ka 101 anëtarë.
- Kryetari i Këshillit Kombëtar zgjidhet nga anëtarët e Këshillit Komb՞tar me propozim të Kryetarit të NISMA-s për një periudhë katër vjeçare.
- Zgjedhja e këshillit kombëtar bëhet në bazë të dy kritereve, kriterit të përfaqësimit dhe kriterit kadrovik, profesional dhe interesit të fuqizimit dhe të shtrirjes së NISMA-së që i propozohet kuvendit nga Kryetari i NISMA-së.
- Anëtarë të Këshillit Kombëtar sipas kriterit të përfaqësimit janë: Kryetari i NISMA, Kryetarët e Degëve, Kryetarja e gruas, Kryetari i rinisë, Deputetët e NISMA-së në Kuvendin e Kosovës, Ministrat dhe Zëvendës Ministrat, dhe Kryetarët dhe nënkryetarët e Komunave nga radhët e NISMA-së. Plotësimi i pjesës së mbetur të anëtarëve bëhet sipas kriterit të dytë dhe anëtarët propozohen nga Kryetari i NISMA, e të cilët miratohen nga Kuvendi.
- Në rast se mandati i anëtarit të Këshillit Kombëtar ndërpritet përpara kohe zëvendësimi i vendit vakant bëhet në bazë të kritereve të lartpërmendura.
- Këshilli Kombëtar ka për detyrë të:
- miraton kriteret që duhet të plotësojë një anëtar për t’u zgjedhur në forumet e NISMA-së;
- miraton kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave për të përfaqësuar NISMA-në në Organet e Qeverisjes Komunale dhe Qendrore;
- miraton procedurat e zhvillimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe forumet e NISMA-së;
- miraton listën e anëtarësisë së NISMA-së;
- miraton rregulla mbi procedurat e ankimimit të vendimeve të forumeve të NISMA-së, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin Ankimor;
- rikonfirmon ose jo mandatin e drejtuesve të NISMA-së që janë emëruar;
- miraton rregulla mbi kushtet, mënyrat e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit në strukturat e NISMA-së;
- miraton kandidaturat për deputetë në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme;
- organizon dhe drejton gjithë veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të NISMA-së;
- në rast fitoreje të zgjedhjeve miraton programin e qeverisë;
- zgjedh Anëtarët e Kryesisë së NISMA-së për një periudhë katër vjeçare;
- miraton kandidaturat e NISMA-së për në organet e qeverisjes apo në organizmat e tjera ku kërkohet përfaqësimi i NISMA-së;
- me kërkesë të Kryesisë së NISMA-së, diskuton dhe miraton programe reformash në fusha të caktuara;
- vendos për thirrjen e Kuvendit Zgjedhor;
- miraton rregullore dhe udhëzime mbi mënyrën dhe praktikën e organizmit, funksionimit dhe dokumentimit të aktivitetit të NISMA-së;
- krijon komisione të përhershme apo të përkohshme;
- miraton rregullat e përdorimit të vulës të NISMA-së;
- zgjedh anëtarët e këshillit ankimor dhe miraton rregulloren e funksionimit te tij;
- miraton rregulla mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të NISMA-së;
- miraton rregulla mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave të NISMA-së në të gjitha nivelet;
- në rast mosfunksionimi, thyerjesh të rënda disiplinore, apo rezultatesh të dobëta në zgjedhjet e përgjithshme ose vendore, vendos riorganizimin pjesor ose të plotë të strukturës lokale të NISMA-së;
- Këshilli Kombëtar ka të drejtë të kooptojë anëtarë në periudhën ndërmjet dy Kuvendeve.
- Këshilli Kombëtar e zhvillon veprimtarinë e tij në bazë të rregullores, që hartohet nga Kryesia dhe miratohet nga Këshilli Kombëtar.
- Mbledhjet e Këshillit Kombëtar thirren nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, me vendim të Kryesisë ose me kërkesë të 1/3 e Anëtarëve të Këshillit Kombëtar të NISMËS.
- Mbledhjet e Këshillit Kombëtar drejtohen nga Kryetari i tij, i cili zgjidhet nga radhët e Anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
- Të gjitha kompetencat e Këshillit Kombëtar të përcaktuara në nenin 17 të këtj statuti drejtohen dhe mbikëqyren nga Kryetari i Këshillit Kombëtar.
Neni 18
Kryesia e zgjeruar
- Kryesia e zgjeruar (e organizuar vetëm në qendër), është organ gjithëpërfshirës e cila udhëhiqet nga Kryetari i NISMA-së dhe është përbërë nga kryesia, nga kryetarët e degëve të NISMA-së, nga kryetari i rinisë dhe kryetarja e gruas;
- Përfaqëson dhe mbron interesin e degëve dhe strukturave të NISMA-së;
- Nxjerr rekomandime në fushën e përgjegjësisë së saj me shumicë të thjeshtë votash të përfaqësuesve të pranishëm;
- Kryesinë e zgjeruar e thërret dhe e udhëheqë Kryetari i NISMA-së
- Mblidhet së paku njëherë në muaj.
Neni 19
Kryesia e NISMA-së
- Kryesia është organ ekzekutiv i zbatimit të politikave dhe vendimeve të Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar.
- Anëtarë i kryesisë për nga funksioni është edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar.
- Kryetari i NISMA Socialdemokrate i propozon Këshillit Kombëtarë për të votuar ekipin e kryesisë që do të drejtojnë sekretari të fushave të caktuara.
- Kryesia është përgjegjëse për zbatimin e Programit dhe të Statutit të NISMA-së;
- Është përgjegjëse për organizimin e fushatës zgjedhore, organizimin dhe zgjerimin e anëtarësisë dhe grumbullimin e fondeve në dobi të partisë;
- Ndarjen e përgjegjësive të anëtarëve të Kryesisë e bënë Kryetari, i cili edhe e udhëheqë punën e këtij organi ekzekutiv;
- Kryesia e NISMA-së përbëhet nga një numër tek anëtarësh, duke përfshirë Kryetarin dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar.
- Anëtarët e Kryesisë i propozohen Këshillit Kombëtar për miratim, nga Kryetari i NISMA-së për një periudhë katër vjeçare.
- Kryesia e NISMA-së ka për detyrë të:
- përfaqëson NISMA-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë tjera, organizatat politike, shoqërinë civile, grupimet tjera shoqërore, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të NISMA-së;
b) propozon buxhetin vjetor të NISMA-së , të cilin e miraton Këshilli Kombëtar;
c) kontrollon dhe përgjigjet për veprimtarinë ekonomike dhe financiare të NISMA-së;
d) nxjerr rregullore e udhëzime në përputhje me kompetencat që i jepen me këtë statut apo me vendim të Këshillit Kombëtar;
e) i propozon Këshillit Kombëtar listën për deputet, kryetar komunash,ministra etj.
f ) Zgjedh Shefin e Shtabit Qendror Zgjedhor.
10) Funksionimi dhe organizimi i punës së kryesisë bëhet me rregullore të veçantë të saj.
Neni 19
Kryetari i NISMA-së
- Kryetari është drejtuesi politik i NISMA-së.
2. Kryetari i NSIMA për Kosovë
zgjidhet nga anëtarësia e NISMA-së, sipas parimit:
“një
anëtarë-një votë”, për një periudhë katër vjeçare.
3. Rregullat e kandidimit për Kryetar të NISMA-së përcaktohen nga Këshilli Kombëtar,
4. Kandidatëve për Kryetar të NISMA-së u krijohen kushte të barabarta infrastrukturore, financiare dhe hapësira në shtypin apo në publikimet e NISMA.
5. Procedura e zgjedhjeve për Kryetar, mënyra e paraqitjes së programeve nga kandidatët, mënyra e zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të NISMA-së, miratohet me vendim të Kuvendit të NISMA-së.
6. Kryetari i NISMA-së ka për detyrë të:
- Drejton dhe koordinon veprimtarinë politike dhe organizative të partisë dhe përfaqëson partinë brenda dhe jashtë vendit.
- Propozon Kuvendit anëtarët për Këshill Kombëtar.
- Propozon përbërjen e Kryesisë së NISMA-së, të cilën e aprovon Këshilli Kombëtar.
- Koordinon dhe udhëheq punën e Kryesisë.
- Kryetari i thërret dhe udhëheqë mbledhjet dhe propozon rendin e ditës. Thirrja e mbledhjes së rregullt bëhet përmes sekretarisë.
- Hap mbledhjen dhe udhëheqë me punën e saj sipas rendit të ditës dhe kujdeset për mbarëvajtjen e saj.
- Nënshkruan të gjitha aktet që dalin nga mbledhjet e kryesisë.
- Propozon përbërjen e delegacioneve të NISMA-s për takime të ndryshme.
- Propozon krijimin e komisioneve apo grupeve punuese për çështje të ndryshme.
- Nënshkruan aktet e miratuara nga Kryesia e NISMA-s.
- Kujdeset për zbatimin e vendimeve të Kuvendit, të Këshillit Kombëtar dhe të Kryesisë së NISMA-s.
- Kryen punë të tjera të parapara me dokumentet bazë të NISMA-së.
- Emëron personelin administrativ të NISMA-së.
- Në rast të dorëheqjes, pamundësisë fizike apo vdekjes, Kryetarin e zëvendëson deri në Kuvendin e radhës Kryetari i Këshillit Kombëtar.
Neni 21
Marrja e Vendimeve
- Në forumet e NISMA-së vendimet merren vetëm pas debatit e ballafaqimit të lirë të mendimeve.
- Vendimet në forumet e NISMA-së merren me konsensus dhe në mungesë të konsensusit me votim.
- Vendimet që kanë të bëjnë me individët, me normat e Statutit dhe të Programit, apo kur kërkohet nga 1/3 e Anëtarëve të forumit të NISMA-së që merr vendimin, merren gjithnjë me votim të fshehtë.
- Vendimi i miratuar nga shumica e pjesëmarrësve në votim është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë ata të cilëve ky vendim u drejtohet.
- Vendimet e forumeve publikohen në organet e informimit të NISMA-së apo në buletinet e saj periodike informative.
Neni 22
Këshilli për Ankesa
- Vendimet që merren nga forumet e NISMA-së mund të ankimohen në Këshillin për ankesa.
- Këshilli për Ankesa përbëhet nga pesë anëtarë: Kryesuesi, Zëvendësi dhe tre anëtarë.
- Anëtarët e Këshillit për Ankesa zgjidhen nga Këshilli Kombëtar nëpërmjet një procedure konkurrimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë, për një periudhë katër vjeçare. Mandati i Anëtarëve të Këshillit për Ankesa mbaron vetëm me konstituimin e Këshillit për Ankesa pasardhës.
- Anëtarët e Këshillit për Ankesa nuk mund të zgjidhen në asnjë forum drejtues të NISMA-së.
- Të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të marra nga forumet e NISMA-së e kanë të gjithë Anëtarët apo forumet e saj. Në Këshillin për Ankesa nuk mund të ankimohen vetëm vendimet e Kuvendit.
- Vendimet e Këshillit për Ankesa janë të detyrueshme për zbatim.
- Rregulla të hollësishme të ankimimit të vendimeve të forumeve të NISMA-së, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin për Ankesa, sanksionohen në rregulloren e Këshillit për Ankesa të cilën e miraton Këshilli Kombëtar.
Neni 23
Rikonfirmimi i Mandateve
- Të gjithë funksionarët e NISMA-së, të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia apo të zgjedhur nga Forumet, mund t’i nënshtrohen procedurës së rikonfirmimit të mandatit.
- Procedura e rikonfirmimit të mandatit të funksionarit të NISMA-së të zgjedhur nga anëtarësia apo Forumet e NISMA-së, fillon me kërkesën me shkrim e të paktën 1/3 e trupës zgjedhore të të zgjedhurit nga anëtarësia, ose 1/3 e anëtarëve të Forumit që ka bërë zgjedhjen.
- Rikonfirmimi i mandatit në çdo rast zhvillohet me të njëjtën procedurë të zgjedhjes të funksionarit të NISMA-së që i nënshtrohet rikonfirmimit të mandatit.
- Rregulla të hollësishme mbi procedurën e rikonfirmimit të mandatit miratohen nga Këshilli Kombëtar.
Neni 24
Burimet Financiare e Materiale dhe Përdorimi i Tyre
- Burimet financiare të NISMA-së janë:
- të ardhurat nga kuotizacionet;
- të ardhurat nga buxheti i shtetit në përputhje me legjislacionin për financimin e partive politike;
- ndihmat dhe dhuratat të Anëtarëve e përkrahësve të NISMA-së;
- ndihmat dhe dhuratat e organizatave partnere;
- çdo e ardhur tjetër që nuk bie në kundërshtim me legjislacionin për financimin e partive politike.
2. Veprimtaria financiare dhe ekonomike e NISMA-së drejtohet nga Kryesia NISMA-së, e cila miraton edhe buxhetin e NISMA-së për vitin pasardhës.
3. Aktiviteti financiar dhe ekonomik i NISMA-së mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme nga Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-së.
4. Një herë në vit, në mbledhjet e Këshilli Kombëtar, Kryesia paraqet një raport në lidhje me aktivitetin financiar dhe ekonomik të NISMA-së.
5. Rregulla të hollësishme mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të NISMA-së miratohen nga Këshilli Kombëtar.
Neni 25
Shpërbërja e NISMA Socialdemokrate
NISMA Socialdemokrate mund të shpërbëhet në këto raste:
- Nëse vendosin 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit në mbledhjen e rregullt apo të jashtëzakonshëm;
- Me rastin e shpërbërjes, për pasurinë e NISMA së vendosë Kuvendi i NISMA-së. Në asnjë mënyrë pasuria nuk mund të shpërndahet apo tjetërsohet në individë.
Neni 26
Amandamentimi i statutit
- Amendamentimi i Statutit mund të bëhet nga Kuvendi zgjedhor i NISMA-së me shumicën e votave të delegatëve ose në mes të dy Kuvendeve nga Këshilli Kombëtar me 2/3 e votave të tij.
- Propozues të amendamenteve në Statut janë:
- Kryetari,
- Kryesia,
- Këshilli Kombëtar,
- 1/3 e delegatëve të kuvendit.
Neni 26
Hyrja në fuqi
1. I miratuar në Kuvendin e I-rë zgjedhor në Prishtinë, me 25. 06. 2016
Fatmir LIMAJ
Kryetar
____________________________________