Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, bashkë me Inspektoratin e Tregut të kësaj ministrie dhe Agjencinë e Metrologjisë, ka vizituar një pikë të derivateve, ku janë marrë mostra për matjen e sasisë dhe verifikimin e cilësisë.

Ministri Krasniqi bëri të ditur se kjo vizitë po bëhet për arsye të mbrojtjes së konsumatorit, duke vlerësuar se produktet që blihen duhet të jenë me standarde evropiane.

Krasniqi theksoi se marrja e mostrave do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, por edhe në produkte tjera.

“Ne ishim në vizitë me Inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe ekipin nga Agjencia e Metrologjisë për të marrë mostra të derivateve për verifikimin e cilësisë dhe sasisë. Mostra të tilla do të vazhdojmë të marrin edhe në ditët në vazhdim dhe njëkohësisht Inspektorati i Tregut së bashku me Agjencinë e Metrologjisë do t’i shtojnë mostrat, duke i dyfishuar dhe kjo gjithmonë duke pasur për bazë mbrojtjen e konsumatorit, që është njëra ndër top prioritetet e mia”, tha ministri Krasniqi.

Ministri tha se arsyeja e vizitës ishte për t’i siguruar qytetarët se janë duke u zbatuar ligjet dhe standardet, por sipas tij, edhe ndihma ndaj bizneseve dhe prodhuesve vendorë do të jenë paralelisht të rëndësishme.

“Unë sot isha personalisht, për t’i siguruar qytetarët e Kosovës që jemi këtu për t’i zbatuar ligjet dhe për t’iu siguruar cilësi të derivateve dhe po ashtu edhe në sasi. Gjithashtu do të inspektojmë edhe artikuj të tjerë, për t’i siguruar konsumatorët se tregu ynë iu ofron produkte sipas standardeve. Po ashtu mbështetja e bizneseve dhe prodhuesve vendorë do të jenë paralelisht të rëndësishme dhe do të punojmë shumë që ta fuqizojmë biznesin dhe prodhuesin vendor”, tha Krasniqi.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të jetë gjithherë në mbështetje të bizneseve.

Img
Img
Img
Img
Img