Ne të Nismës Socialdemokrate duam ta ndryshojmë politikën, t’ia bëjmë asaj fytyrën njerëzore, ta transformojmë shoqërinë, ta ndërtojmë një Kosovë Evropiane, Moderne dhe Sociale, përmes një politike të fokusuar dhe të orientuar nga e ardhmja jonë e përbashkët. Për një Kosovë që vlerë e ka besën, sinqeritetin e jo mashtrimin e kusarinë mbi paranë publike!
 NISMA Socialdemokrate është e bindur se beteja politike për drejtimin e shtetit ushtrohet përmes debatit demokratik, të kulturuar e të argumentuar, aty ku është fusha e jetësimit dhe e ligjësimit të lirisë sonë, aty ku realizohen idetë e idealet tona të çlirimit e të progresit. Në debatin politik, secili nga ne i nxjerrim në pah vlerat e projektet tona të studiuara e të planifikuara, për të jetësuar alternativën tone politike për një qeverisje të mirë e të lirë. Për një qeverisje me fytyrë njerëzore!
 Ne e kemi themeluar Nismën Socialdemokrate për t’i jetësuar vlerat e parimet tona njerëzore e kombëtare, vlerat e socialdemokracisë evropiane, të cilat i kemi qartësuar mirë e kujdesshëm në programin vizionar të Partisë sonë NISMËS Socialdemokrate.