Për NISMËN Socialdemokrate procesi i ndërtimit të institucioneve të Kosovës mbi parimet e funksionimit demokratik mbetën në përgjegjësit e partive politike. Për këtë arsye, funksionimi demokratik i vetë partive politike del të jete si kusht paraprak për ndërtimin e shtetit të se drejtës. Fatkeqësisht, i tërë procesi i themelimit dhe konsolidimit të shumicës së partive politike të Kosovës u kufizua vetëm në disa aspekte procedurale.

Mënyra e funksionimit autoritar në radhët e partive politike, e cila u bart në institucionet e shtetit u shndërrua në pengesë kryesore për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Privilegjet individuale dhe grupore që krijoi kjo formë e drejtimit të partive dhe shtetit solli situatën më paradoksale që dikush ka mundur ta imagjinojë njëzetë vite më parë. Në vend të krijimit të kushteve për kthimin e të gjithë atyre që ishin dëbuar nga Kosova, varfëria e skajshme e popullit ka krijuar premisat e tilla ku edhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ndërmerr veprime të ndryshme kundërligjore për të siguruar emigrimin jashtë vendit. Kjo është pasojë e mospasjes siguri për një jetë më të dinjitetshme e më të sigurt në Kosovë.

Ne jemi të vetëdijshëm se ndalja e kësaj rrjedhje kombëtare mund të realizohet vetëm përmes krijimit të kushteve ku secili qytetar do ta shohë perspektivën e vet në Kosovë. Për këtë arsye, Nisma Socialdemokrate do të angazhohet me tërë qenien e vet për të favorizuar projektet që krijojnë kushtet për një jetë më të dinjitetshme.

Një angazhim i veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së projekteve që vijnë nga bashkatdhetarët tanë që ndodhen në emigracion, sepse realizimi i projekteve të tyre do të kishte efekte që njëkohësisht të bëhej kthimi i njerëzve që kanë fituar përvoja profesionale dhe intelektuale në shtetet e demokracive perëndimore.

Nisma Socialdemokrate do të kërkojë mbështetje konkrete nga shtetet e Evropës perëndimore dhe SHBA-ve që kthimi i qytetarë tanë të shoqërohet me projekte konkrete, që stimulojnë integrimin dhe hapjen e perspektivave të reja në Kosovë.

Nisma do të hulumtojë dhe gjejë forma të reja të bashkëpunimit në partneritet me vendet e rajonit tonë, sidomos me shtetin shqiptar dhe shtetet fqinje ku jetojnë shqiptarët si dhe do të ndikojë në përshpejtimin e krijimit të tregut të përbashkët kombëtar.

Nisma Socialdemokrate është për dialog e mirëkuptim me të gjitha vendet e rajonit tonë. Jemi edhe për dialog me Serbinë, por më parë partitë politike duhet të arrijnë konsensusin kombëtar për të biseduar dhe arritur marrëveshje më Serbinë si dy vende të barabarta e me njohje reciproke.

Strukturat udhëheqëse politike të Kosovës e kanë për obligim të mbyllin të gjitha plagët e trashëguara nga e kaluara dhe një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm përmes funksionimit mbi vlerat dhe parimet demokratike.

Nisma Socialdemokrate kërkon bashkimin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës për t’i bërë ndryshimet demokratike që i duhen vendit tonë.

Për Nismën Socialdemokrate është e papranueshme kur edhe njëzetë vjet pas përfundimit të luftës, pushteti në Serbi nuk i kthen paratë e plaçkitura të Fondit Pensional të Kosovës.

Për Nismën Socialdemokrate, ndërtimi i mirëfilltë i shtetit të së drejtës është bazamenti që garanton hapjen e perspektivave ekonomike në interes të mirëqenies së qytetarëve, edukimin dhe arsimimin e të gjitha niveleve shkollore në përputhje të plotë me të arriturat shkencore dhe pedagogjike të demokracive perëndimore, përkujdesje të tillë shëndetësore ku jeta dhe dinjiteti i njeriu është në qendër të vëmendjes.

Kosova ka nevojë për një arsimim cilësor që fëmijët tanë të pajisen me kulturë, vlera dhe njohuritë më të reja shkencore. E kemi për obligim që gjeneratat e reja t’i aftësojmë të jenë të përgatitura t’u bëjnë ballë sfidave të reja me të cilat do të ballafaqohen në procesin e globalizmit dhe të integrimeve.

NISMA përveç rishikimit profesional që do t’u bëjë politikave fiskale e ekonomike për zhvillimin e vendit, një vëmendje të shtuar do të ketë edhe për politikat e deritashme në procesin e privatizimit, të cilat politika nuk kanë pasur asnjë efekt ose kanë pasur efekte tepër anësore në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe në zbutjen e papunësisë në Kosovë.. Papunësia edhe njëzetë vjet pas lufte, si dhe mbi dhjetë vjet pas pavarësisë vazhdon të krijojë probleme të mëdha sociale, si për familjet ashtu edhe për shtetin tonë.

NISMA Socialdemokrate do ta rris buxheti për bujqësi, rritja do të behet rreth 5 % të buxhetit të përgjithshëm (në katër vitet e ardhshme), që është një përmirësim i dukshëm në krahasim me nivelin e tanishëm. Bujqësia me të gjitha sektorët e saj duhet të bëhet segment i fuqishëm i zhvillimit tonë ekonomik.

NISMA Socialdemokrate do të kultivojë frymën e solidaritetit, duke afirmuar unitetin njerëzor jo vetëm mes gjeneratave aktuale. Ky solidaritet dhe afirmim do të shtrihen pandalshëm edhe në gjeneratat që vijnë pas nesh.

Kosovës si pjesë e Evropës angazhohet që ambicien e popullit tonë ta orientoj drejt integrimit sa më të shpejtë në strukturat politike të Bashkimit Evropian. Jemi të bindur se duke e ndërtuar shtetin e së drejtës dhe duke funksionuar atë në përputhje me parimet, transparencën dhe vlerat që janë në themelet e institucioneve politike të Bashkimit Evropian.

NISMA Socialdemokrate me të gjitha strukturat e saja të organizimit do të angazhohen që Ko0sova me 6 shtator të organizoj e mbaj zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme e demokratike! Vetëm zgjedhjet e tilla janë garanci për zhvillim e progres shoqëror e ekonomik.

Prishtinë, 5 shtator 2019

Deklaratë Politike e KK të NISMËS Socialdemokrate Për NISMËN Socialdemokrate procesi i ndërtimit të institucioneve të…

Posted by Jakup Krasniqi on Thursday, September 5, 2019