Demokracia sot, në shekullin XXI, e nënkupton shtetin e së drejtës, shtetin e mundësive të barabarta, shtetin e mirëqenies, shtetin social e solidar. Shteti i së drejtës nënkupton sundimin e ligjit, por jo të çdo ligji, por të ligjeve që u nënshtrohen standardeve demokratike të shoqërive euro-atlantike. Standarde këto të epokës së globalizmit, të cilat janë bërë graviteti që tërheq nga vetja popuj racash, kombesh, gjuhësh e diversitetesh të ndryshme të të gjitha kontinenteve.

Shtetin e së drejtës as dje dhe as sot nuk e ndërtojnë njerëzit që shajnë me zëra të çjerrë, që pështyjnë përpjetë, anash e gjithandej dhe që nuk kanë ide, vizion, dije e dashuri për qytetarin. Shtetin e së drejtës e ndërtojnë vetëm ata që janë vizionarë, që kanë ide të qarta për ndërtim e zhvillim, që kanë program politik, ideologjik e social, që dinë dhe duan ta ndalin trendin e degradimit, spiralja e të cilit trend po shënon rënie. Kësaj spiraleje i duhet dhënë doemos udhë ngritjeje drejt ndryshimit progresiv.

Kush mund ta bëjë këtë ndryshim, këtë ngritje?

Mund ta bëjnë njëshat e fanatikëve politikë? Jo! Apo muskujt e fituar sallave të fitneseve? Jo! Mund ta bëjnë policët, prokurorët e gjykatësit marrë së bashku? Druaj se jo! Të gjithë i kemi parë të parakalojnë e premtojnë “ndryshimin”, por kemi përjetuar dështimin e vazhdueshëm. Spiralja e çdo segmenti të jetës në shoqërinë tonë po shënon vetëm rënie. Pa u ndalur rënia ngritje nuk mund të kete!

Kush e ndalë rënien në demokraci?

Në shoqërinë demokratike ndryshimi nuk mund të bëhet pa vullnetin e qytetarit. Keqqeverisja nuk mund të ndëshkohet pa votën e qytetarit. Aty ku nuk ndëshkohet qeverisja e keqe, degradimi qeverisës thellohet. Demokracia nuk zhvillohet, shteti i së drejtës nuk ndërtohet dhe e keqja pa dyshim që akoma thellohet, përkeqësohet! Prandaj vota e qytetarit të vetëdijesuar është ndëshkimi i të qeverisurit të keq dhe shpresa e vetme për ndryshim e zhvillim.

Partizanllëqet politike ndoshta mund t’i ndryshojnë kuajt e qerres, por nuk e sjellin dot ndryshimin e duhur!

Aty ku qytetari është i ndërgjegjshëm për peshën e votës se lirë e demokratike, aty është edhe vetë ndryshimi! Aty është DEMOKRACIA dhe shteti i së drejtës. Aty është e garantuar perspektiva dhe mirëqenia qytetare!

Se sa qytetari ynë e ka kuptuar peshën e votës se tij për ndryshim mbase edhe nuk mund ta di, por dua të shpresoj se po shkojmë drejtë atij ndryshimi!

SHTETI DEMOKRATIK I SË DREJTËS Demokracia sot, në shekullin XXI, e nënkupton shtetin e së drejtës, shtetin e mundësive…

Posted by Jakup Krasniqi on Monday, July 29, 2019