Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti. Ajo luftë fitoi mbështetjen ndërkombëtare dhe sot Kosova është e lirë dhe e pavarur. Pa Luftën Çlirimtare nuk do të kishte ndërhyrje ndërkombëtare dhe, për pasojë, nuk do të kishte liri e pavarësi. Këtë liri e pavarësi po e gëzojmë të gjithë, madje po e gëzojnë edhe ata që dje bënë sehir dhe sot akuzojnë. Kjo liri e pavarësi ka bërë të mundur që Republika e Kosovës të ketë mbi 115 njohje ndërkombëtare. Pas Lirisë e Pavarësisë, të gjithë kemi hisen tonë të papërgjegjshmërisë e të grykësisë, të mashtrimit e të vetëmashtrimit! Rexhës kur ia derdhën thesin e miellit, tha: “Herën e parë haram ju qoftë, çdo herë tjetër më pas, hallall e keni!”. Njeriu një herë edhe mund të mashtrohet, por jo pa mbarim!

Pa Luftën Çlirimtare, Kosova do të zbrazej nga shqiptarët (vetëm gjatë viteve ’90 mbi 400 000 shqiptarë u larguan nga Kosova), do të kolonizohej nga serbët e, mbase, do të qeverisej edhe nga ndonjë shqipfolës, që urren organikisht të gjithë përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, e jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu siç është qeverisur për gati një shekull të tërë nga argatët e kralëve të Serbisë e të Jugosllavisë, të Jugosllavisë së Tito-Rankoviqit e të Millosheviqit. Kur them këtë, seç më kujtohet Fallmerayer-i, i cili para 160 vjetësh thoshte: “Shqiptarët e kanë kujtesën e shkurtër”. Konstatimi i tij po del të jetë i sakët. Kujtesë të shkurtër po tregojmë edhe tani në dekadën e dytë të shekullit XXI.

Mbase duhet të kuptojmë, se sundimi shekullor serb në Kosovë ka hedhur farën e tij, farë e cila sot e kësaj dite ka prodhuar edhe frytet e saj. Dhe ajo farë kurrë nuk do të pajtohet me lirinë e pavarësinë tonë të fituar me flijime të shumta, flijime që i has në çdo fshat e qytet të Kosovës.

Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën kurrë nuk do të vinte liria e pavarësia jonë, nuk mund t’i mvishet asnjë vepër kriminale e kryer në Kosovë pas 21-22 qershorit 1999, atëherë kur në aeroportin e Sllatinës u nënshkrua demilitarizimi i saj mes kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe komandantit të KFOR-it, Gjeneral Xheksonit. Që nga ajo datë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pushuar së funksionuari. Sigurisht që kanë pushuar së ekzistuari edhe organet e saj drejtuese. Tani, organe të tjera vendore e ndërkombëtare kanë marrë përgjegjësinë për drejtim e qeverisje. Çdo referim që i bëhet UÇK-së pas kësaj date është i pasaktë. Akuzat le të varen aty ku e kanë vendin.

Është më shumë se e turpshme, kur akuzat e ndonjë “intelektuali” shqipfolës sot puqen në plotëni me gënjeshtrat serbe. Populli ynë thotë: “Turpi nuk hahet me bukë”.

Lufta jonë është rezultat i një lufte të pastër e titanike të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e Bashkim Kombëtar. E ajo ëndërr është plotësuar pjesërisht nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Është e turpshme që edhe pas njëzet vjetësh, liribërësit tanë duhet të mbrohen nga sehirbërësit e djeshëm e të sotshëm shqipfolës! Në kohën kur edhe sehirbërësit e djeshëm do të duhej të angazhoheshin për dënimin e gjenocidit serb. Zhvendosja e vëmendjes nga gjenocidi i konfirmuar serb në “krimet” e pretenduara të UÇK-së është krim më vete.

Do të ishte mirë që, së paku, “intelektualët” shqiptarë para se të merreshin me këto broçkulla, të lexonin librin e Bardhyl Mahmutit, “Mashtrimi i madh”, që ta shihnin se ku e kanë çerdhen e vet të krimit akuzat e tilla për UÇK-në. Por, siç po duket, edhe “intelektualët” tanë sot lexojnë pak.

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS ISHTE E PASTËR SI LOTI Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti. Ajo…

Posted by Jakup Krasniqi on Friday, July 12, 2019

https://www.facebook.com/J.Krasniqi51/photos/a.436570319792609/2329096253873330/?type=3&theater