Adem Demaçit për veprimtarin e tij jetësore, për qëndresën e veçantë, për humanizmin e tij për njeriun në përgjithësi, mori shumë çmime vendore e ndërkombëtare, me të cilat është nderuar vepra dhe sakrifica e pa shembull e tij, për njeriun dhe të drejtat njerëzore. E vërteta është se ato çmime janë të varfra për t’i dhënë vendin e merituar, njeriut që bëri shumë për kombin e tij, duke sakrifikuar shumë nga jeta e tij njerëzore e familjare. 

Njeriut që për asnjë moment nuk e ngarkoi shpirtin e tij njerëzor me helmin e urrejtjes, helm që e kishin me bollëk kundërshtarët e tij politik në ambientin shqiptar e ballkanas! Armiqtë e idealit të tij politik nuk pushuan asnjëherë luftën ndaj personalitetit të tij, mbase nuk e pushojnë as sot! Adem Demaçi nuk kishte armiq personal, por ishte vepra e tij, ideali i tij që i kishte lënë ata nën hijen e lisit të madh të kombit dhe dëshironin të dilnin dhe dolën në dritë me çejzin e huaj politik.

Mungesa e një personaliteti të tillë në hapësirën tonë kombëtare vërehet më shumë se 20 vjet edhe atëherë kur ai ishte në mesin tonë. Sot dhe nesër kjo mungesë, tani dhe fizike do të jetë edhe më e madhe. Adem Demaçi në politikën vizionare shqiptare ka lënë një shteg të madh për frymëzimin e mobilizimin e kombit. Le të lutemi që kjo mungesë të jetë sa më e përkohshme!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Heroin tonë fisnik! 

LAVDI JETËS E VEPRËS SE ADEM DEMAÇIT!